Sabatin e 27 Majit gjithë kishat Adventiste në Shqipëri u mblodhën së bashku për të adhuruar Zotin në një festival besimi në kishën e Korçës. Adhurimi nisi në orën 11 AM me mikpritjen karakteristike të kishës lokale. Grupi i saj i adhurimit nën tingujt e kitarës bashkoi zërin me besimtarët nga gjithë kishat prezente për të lavdëruar dhe adhuruar Perëndinë.

Presidenti i Misionit Shqiptar, pastor Leo Espana prezantoi te ftuarit nga Kroacia, presidentin e Unionit Adriatik, pastor Drago Mojzes si dhe thesarmbajtësin e Unionit, Nebojsa Milovanovic i cili kësaj rradhe kishte ardhur se bashku me bashkëshorten e tij, Nevenka Milovanovic. Pastor Drago përshëndeti bashkësinë dhe prezantoi temën e ditës e cila titullohej “Fortesa e së Vërtetës”. Pastor Drago inkurajoi besimtarët duke theksuar se Zoti ka ngritur kishën e Tij në të cilën të vërtetat e Fjalës së Tij të ruhen fort dhe të pandryshueshme.

Mbas një lutje nga vëlla Laert Sejdini nga kisha e Elbasanit, programi vijoi me Shkollën e Sabatit e cila u drejtua nga Nebojsa Milovanovic. Ai diskutoi mesimet që nxjerrim nga letra e Pjetrit e parë kjo nga konteksti i kishës e cila është thirrur të ruajë të vërtetën dhe Fjalën e Zotit në “Kështjellën e së Vërtetës”. Gjithashtu nuk mungoi edhe shkolla e Sabatit për fëmijët e drejtuar nga të rinjtë e kishës së Korçës në ambientet argëtuese të dhomës së fëmijëve.

Mbas shkollës së Sabatit ishte një pjesë e veçantë në të cilën pastor Sergio Nunka Borges bashkë me bashkëshorten e tij Adriana Nunka Borges mbajti një fjalim përshëndetës për kishën e Korçës. Pastor Sergio do të kthehet në Brazil për të vazhduar shërbesën e tij si asistent ungjillëtar në Sao Paulo mbasi shërbeu si misionar në Shqipëri për shtatë vjet. Ai erdhi në Gusht të 2010 dhe u vendos pastor i kishës “Tirana Lindje” ku shërbeu deri në vitin 2013. Më pas në fillim të vitit 2014 shërbeu si pastor i kishës në Korçë deri në Maj 2017. Gjithashtu gjatë këtyre viteve ka shërbyer si asistent thesarmbajtës dhe drejtues i Departamentit të të Rinjve të Misionit Shqiptar.

Pastor Sergio ndau me gjithë kishën eksperiencën e tij sesi mori thirrjen nga Zoti për të qënë pastor. Ai theksoi një ëndërr që e kishte parë shumë vite më parë në të cilën predikonte si misionar në një tokë të huaj. Megjithëse u deshën vite pregatitje dhe mbështetje në planin e Zotit, ai u shpreh se ndihet i privilegjuar që kjo ëndërr u plotësua gjatë shërbesës së tij misionare në Shqipëri.

Me pas pastor Drago, Leo dhe Nebojsa falenderuan çiftin Borges për shërbesën e tyre në Shqipëri duke ju dhënë një çertifikatë vlerësimi. Pastor Leo drejtoi një lutje të veçantë për shërbesën e Borges në vijim në Brazil. Pastor Sergio Borges u zëvendësua nga pastor Delmar Reis gjithashtu nga Brazili.

Pastor Delmar ka shërbyer si pastor në Campinas, Sao Paulo. Ai është i martuar me Natieli Schaffer dhe kanë një vajzë katër muajshe, Klarën. Pastor Delmar përshëndeti kishën duke lexuar nga Gal 3:26-28 dhe theksoi që në Krishtin të gjithë jemi një pavarësisht nga kombësitë e ndryshme që kemi. Ai shprehu se është i lumtur që u takua me familjen e tij në Shqipëri që është kisha e Zotit. Mbas përshëndetjes së tij, pastor Leo dhe përfaqësuesit e Unionit Adriatik mirëpritën familjen Reis që pranuan thirrjen e Zotit dhe erdhën si misionarë në Shqipëri.

Pastor Delmar do të shërbejë si pastori i kishës në Korçë dhe grupit nga Pogradeci. Gjithashtu do të jetë drejtuesi i departamentit të të rinjve në misionin Shqiptar. Ndërsa bashkëshortja e tij Natalie do të jetë drejtuese e departamentit të muzikës dhe adhurimit. Mbas lutjes së pastor Leos për shërbesën e tyre në Shqipëri, çifti Reis kënduan një himn të veçantë si përgjigje dhe inkurajim për kishën.

Në fund pastor Drago inkurajoi sërisht kishën që të themeloset në të vërtetën e Fjalës së Zotit, duke theksuar se në këtë mënyrë asgjë nuk do ta mposhtë këtë “fortesë së të vërtetës”. Takimi i mbyll me një lutje nga misionari në Vlorë, Stan Hendrickson.

Mbas adhurimit gjithë besimtarët që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria kaluan një kohë të bukur miqësie me njëri-tjetrin duke ngrënë së bashku lakror, ushqimin tradicional Korçar. Më pas besimtarët u larguan të inkurajuar dhe frymëzuar nga ky festival besimi.

Kjo fundjavë në Korçë ishte gjithashtu një rast shumë i mirë që familjet pastorale të cilat punojnë në Shqipëri të mblidheshin së bashku për trajnim, miqësi dhe çlodhje. Së bashku me pastor Drago, Nebojsa dhe Nevenka ata u mblodhën në Grand Hotel. Pastor Drago inkurajoi pastorët me seminare sesi të fitojmë njerëzit në Krishtin duke qënë një ndërmjetës ashtu si Pjetri, përmes së cilit të rrjedhë fuqia jetëdhënëse e Perëndisë. Ndërsa të Dielë Nevenka mbajti një seminar për të inkurajuar bashkëshortet e pastorëve që t’i mbështesin ata jo duke qënë “backseat drivers” por “backseat prayers”.