Kisha Adventiste në Shqipëri i është bashkuar nismës “Global Youth Day” (dita botërore rinore) të kishës Adventiste në mbarë botën që në fillimet e saj. Kjo ka qënë një mundësi shumë e mirë që të rrinjtë e kishës Adventiste në Shqipëri të përdorin dhuntitë dhe entuziazmin e tyre rinor në shërbim të komunitetit.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, për herë të parë, në 18 Mars 2017 grupe të rinjsh nga kisha Adventiste në Shqipëri u mblodhën të gjithë në qytetin e Korçës për të adhuruar dhe shërbyer së bashku. Pastori lokal i kishës së Korçës, Pr. Sergio Borges, njëkohësisht dhe drejtuesi aktual i Departamentit të të Rinjve mirëpriti rreth 70 të rrinj nga kishat tona në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Pogradec dhe Korçë, për të adhuruar Zotin gjatë programit të paradites. Në këtë program ishte i ftuar edhe drejtuesi i Departamentit të të Rrinjve në Unionin Adriatik, pr. Bobo Marceta si dhe presidenti i Misionit Shqiptar dhe gjithë pastorët e tjerë në Shqipëri.

Pastor Bobo dhe pastor Leo falenderuan çiftin Borges për punën e tyre si misionarë duke nisur që nga viti 2010 dhe deri tani. Pastor Sergio ka shërbyer gjatë këtyre 7 viteve si drejtues i Departamentit të të Rrinjve në kishën Adventiste në Shqipëri dhe si pastor i kishës Tirana Lindje dhe aktualisht i kishës në Korçë. Gjatë kësaj kohë pastor Sergio është impenjuar në disa organizime me të rrinjtë Adventistë siç janë RELAY, Kongreset Rinore, Rrugëzbuluesit, etj. Në shenjë mirënjohjeje nga Unioni Adriatik si dhe Misioni Shqiptar, në fund çiftit Borges iu dhurua një Çertifikatë Mirënjohjeje. Ky ishte një moment emocional falenderimi për pr. Sergio dhe bashkëshorten e tij Adriana, si dhe kishën e Korçës duke kujtuar gjithë shërbesën e tyre në këto vite. Pastor Sergio do të zëvendësohet nga një tjetër pastor brazilian, pr. Delmar Reis, i cili vjen në Maj 2017 dhe do të vijojë punën në departamentin e të rrinjve.

Pastor Bobo inkurajoi të gjithë të rrinjtë prezentë gjatë adhurimit duke vendosur fokusin në leximin ditor të Biblës. Pa humbur shumë kohë, gjithë të rrinjtë prezentë në adhurim, morën paisjet e tyre dhe shkuan tek pedonalja e Korçës ku ngritën tendat për aktivitetin ungjillëzues. Rreth 70 të rrinj u përfshinë në aktivitete të larmishme për komunitetit. Disa ishin në tendën e shëndetit ku anëtarë të kishës që ishin gjithashtu infermierë ftuan kalimtarët që të matnin tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak. Gjatë këtij kontrolli pati rreth 7 raste kur disa u diagnostikuan me tension të lartë dhe nivel të lartë sheqeri. Duke falenderuar me mirënjohje ata u nisën drejt spitalit për tu konsultuar më tej me doktorin për gjendjen e tyre shëndetësore. Gjithashtu të rrinj të tjerë mbanin postera të mëdha ku ftonin njerëzit të lexonin principet e një jete të shëndetshme.

Të rrinjtë Adventistë kishin menduar edhe për fëmijët duke ju ofruar lojra të ndryshme. Një ndër më të pëlqyerat ishte edhe ajo që njihet si “Face Painting”. Ishte shumë bukur të shikoje sesi fëmijë të vegjël entuziastë tërhiqnin pë dore prindërit e tyre në mënyrë që të vizatonin një zemër, simbolin e dashurisë, në faqet e tyre. Bashkë me pranverën që sapo kishte erdhur në qytetin e ftohtë të Korçës, u ngrohën dhe zemrat e këtyre fëmijëve dhe prindërve të tyre nga aktivitetet tona.

Ndërsa në çadrën tjetër departamenti i Shkollës Biblike me Korespondencë reklamoi dhe ftoi kalimtarët të rregjistroheshin në kurset falas me korrespondencë “Eksploro Jetën”. Kështu u shpërndanë qindra fletpalosje me këto kurse si dhe pati një rritje prej 1379 klikimesh në faqen www.eksplorojeten.al ku këto kurse mund të ndiqen online. Gjatë këtij aktiviteti gjithë të rrinjtë Adventistë mundën të shpërndajnë rreth 2000 libra me titujt: Shëndet dhe Mirëqënie, Hapa drejt Jezusit, Shenja Shprese, revista, etj. Si rezultat, rreth 6 kontakte të reja shprehën interesin e tyre për të njojtur kishën si dhe dhjetra të tjerë u rregjistruan në kurset e anglishtes që ofrohen në kishën Adventiste në Korçë.

Mbas këtij aktiviteti gjithë të rrinjtë u mblodhën në parkun qëndror të qytetit ku dëgjuan një devocional të shkurtër nga pr. Bobo për të mbyllur Sabatin. Lutja në rreth ishte një eksperiencë e veçantë ku gjithë të rrinjtë rrethuan një shesh të madh në park. Ndërsa të nesërmen të rrinjtë shkuan në fshatin e njohur turistik të Dardhës. Ky fshat njihet për pistën e tij të dëborës si një mundësi shumë e mirë për të bërë ski edhe në muajin e Marsit. Për të rrinjtë që vinin nga Shqipëria e mesme dhe bregdetare kjo është një mundësi shumë mbresëlënëse. Dita Botërore Rinore në Korçë jo vetëm që ishte një mundësi ku të rrinj Adventistë nga gjithë kishat në Shqipëri të mund të ishin një predikim i gjallë për komunitetin, por gjithashtu ishte një inkurajim që këtë aktivitet ta vazhdojnë edhe në kishat e tyre lokale. Shumë të rrinj shprehën entuziazmin e tyre për të zhvilluar një aktivitet të ngjashëm në kishat e tyre. Ashtu si dielli pranveror na shoqëroi gjatë këtij aktiviteti, lutemi që zjarri i Frymës të shoqërojë të rinjtë e kishës Adventiste në Shqipëri teksa dëshmojnë personalisht ose në grup për besimin e tyre dhe jetën e re që kanë në Jezus Krishtin.