Ora 11:00 e datës 11 Nëntor 2017 nuk ishte një e shtunë e zakonshme për Kishën Adventiste Tiranë-Qendër. Ajo shënoi hapjen e një kapitulli të ri në historinë e saj me inaugurimin e ambjentit të ri, kishën e re në kryeqytetin Shqiptar prej gati 1 milion banorësh.

Kisha e re, e ndodhur në qendër të kryeqytetit , ishte një dhuratë e shumëpritur për besimtarët e e kësaj bashkësie, pas vitesh të tëra pritjeje dhe lutjesh për të patur ambjentin e tyre, shtëpinë e lutjes dhe adhurimit. Më në fund realizohet një ëndërr e madhe falë bujarisë së motrave dhe vëllezërve adventist nga e gjithë bota, të cilët me ofertat dhe dhuratat e tyre të sabatit të 13-të bënë të mundur blerjen e këtij ambjenti.

Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë ditë ishtë edhe kremtimi i 25 vjetorit të themelimit të kishës Adventistë Tiranë-Qendër, duke e kthyer këtë të shtunë adhurimi gati në një festival besimi. Të ftuar special në këtë ditë të shënuar për adventizmin jo vetëm në Tiranë , por edhe në Shqipëri ishin figura qe kanë bërë historinë e saj si, Pr.Julian Kastrati, njekohësisht pastori që ka shërbyer më gjatë në kishen e Tiranë-Qendrës, me bashkëshorten e tij Beatrice, Pr.David Currie si ungjilltari i parë i kishës së Tiranës pas rënies së komunizmit dhe bashkëshortja e tij, të cilët edhe pse larg vendit, nuk munguan në këtë ditë të veçantë.

Ndër të ftuar të tjerë ishin edhe perfaqesues nga Divizioni Trans-Europian nga departamenti i Kujdestarisë, Pr.David Neal si dhe nga Australia, Pr.Alban Matohiti, i cili ka punuar më parë për Misionin Shqiptar si pastor i disa kishave në Shqipëri.

“Jam vërtetë i emocionuar të jem sërisht këtu me ju, kësaj here në ambjentin tonë të ri në këtë moment kulminant të historisë së rrugëtimit tonë me Zotin, të dashur motra dhe vëllezër. Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë për të arritur deri këtu, ne të gjithë jemi dëshmitar të vështirësive dhe sfidave. Ka qenë një rrugë me ulje dhe ngritje, momente ku ndoshta jemi ndjerë vetëm, ndoshta jemi ndjerë sikur Zoti nuk ishte me ne, por doja tju inkurajoja sot dhe me plot konfidencë ju them se edhe pse ndonjëherë nuk mund ta ndjejme praninë e Tij, Ai është gjithmonë aty duke na vështruar dhe duke na dëgjuar. Sot jemi ndoshta ne majë të rrugëtimit, por rrugëtimi do të vazhdojë me ulje dhe ngritje, e rëndësishme është të qëndrojmë fort me besim se Zoti është gjithmonë aty me ne dhe nuk do të na braktisë në rrugëtimin tonë me të.”- u shpreh gjatë fjalës së mbajtur, Pr.Julian Kastrati

“Jam shumë i lumtur që jam prezent sot këtu me ju në realizimin e një ëndrrë të hershme, dhe dëshmitar i përurimit të një ambjenti kaq të mrekullueshëm si nga ana arkitektonike edhe nga ajo konceptuale. E vendosur ndoshta në një nga zonat më të pasura dhe më sekulare të Tiranës unë i lutem Zotit që kjo kishë të mos vishet kurrë me perde, por të jetë një ndriçues i gfuqishëm për të gjithë ata që banojnë apo kalojnë këtu përmes kësaj godine”- u shpreh Pr.David Neal.

Pr.David Currie foli me nostalgji për eksperiencën e tij si ungjilltar në vitet e para pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe solli gjithashtu në vëmendje shembullin e heroinës së besimit Adventist Shqiptar, nënë Meropi Gjikës. 25 vjetori i Adventizmit në Shqipëri dhe në Tiranë nuk do kishte kuptim pa përmendur frymëzimin që kjo grua u ka dhënë nëpërmjet shembullit të besnikërisë së saj, sidomos brezit të parë adventist shqiptar. Sot ajo qëndron aty si një ikonë dhe një frymëzim edhe për këtë nisje të re që kisha e Tiranë Qendrës pritet të ketë me ndërtesën e saj të re.

Këtë moment të rëndësishëm e përshëndetën nga larg nëpërmjet mesazheve edhe figura të tjera kishës Adventiste si Presidenti i Divizionit Trans-Europian Pr.Raafat Kamal, drejtori departamentit të rinisë në këtë Divizion, Pr.Zlatko Musija si dhe Pr.Rajmund Dobrowski, Pr. Leigh Rice etj.

Lutja e Kishës Adventiste Tiranë-Qendër është që kjo ndërtesë e re të jetë një fillim i ri, një rizgjim shpirtëror i vetë Kishës, duke përmbushur kështu urdhërimin e madh të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht, për të shpërndarë lajmin e mirë, për të pagëzuar dhe bërë dishepuj kudo në qytetin e Tiranës.

Kjo bëhët shumë herë më urgjente dhe e domosdshme duke ditur se jemi duke jetuar në ditët e fundit dhe përpara se Jezusi të vij sërisht, Kisha e Qendrës e udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, duhet të zotohet të bëjë një ndryshim në kryeqyetin e Shqipërsië, megjithë sekularizmin gjithnjë e në rritje në këtë qytet, por duke mbetur konfident se me Perëndinë asgjë nuk është e pamundur…