Konferenca  “Rinia e Gjallë”

 

Për të diskutuar sesi adoleshentët dhe të rinjtë mund të bëjnë zgjedhje të shëndetshme në shoqërinë e sotme, rreth 105 persona morën pjesë në projektin pilot të quajtur “Rinia e Gjallë” (Youth Alive), projekt ky në bashkëpunim me Konferencën e Përgjithshme dhe Divizionin Trans Europian të Kishës Adventiste, që u mbajt në Tiranë në datat 13-18 Gusht 2019.

Projekti u na në dy pjesë: pjesa e parë, trajnim për udhëheqësit dhe pjesa e dytë aktivitetet në kuadër të konferencës “Rinia e Gjallë” me të gjithë pjesëmarrësit.

Të ftuar në takime ishin profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët folën për shëndetin fizik, mendor dhe atë shpirtëror.

Ndër temat kryesorë, spikatën reflektimet e rëndësishme mbi çështje si: nevoja për të ngritur marrëdhenie të shëndetshme duke shmangur abuzimet; risqet nga sjelljet me tendenca varësie (ku përfshihen teknologjia, substancat e dëmshme, dhe pornografia); si dhe simptomat fizike, psikologjike dhe shpirtërore që këto sjellje me risk imponojnë.

Gjatë këtij eventi, të rinjtë kishin mundësi të formonin grupe të vogla miqësie, të cilat trajtonin dhe diskutonin tema të ndryshme të zgjedhura nga specialistët gjatë prezantimeve, me drejtimin e një udhëheqësi për çdo grup. Keto diskutime viheshin në praktië nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve praktike në grup.

“Më pëlqeu çdo gjë, ishte fantastike, shumë zbavitëse. Mësova shumë në lidhje me seksualitetin, depresionin dhe se si të jetojmë të lumtur duke bërë zgjedhjet e duhura” – thotë Joana Hallkaj, 13 vjeçe nga Tirana.

Për Leo.N.España, president i Misionit Shqiptar dhe njëkohësisht pastor i Kishës Tiranë-Qendër thotë se “projekti është jashtëzakonisht i rëndësishëm duke qenë se adoleshentët dhe të rinjtë janë e ardhmja e kishës, ata do të bëhen prindër të ardhshëm dhe udhëheqës kishash”.

Ai vazhdon duke thënë se “Rinia e Gjallë ofron udhërrëfime me në qendër mësimet e Krishtit për ta, duke nxitur një jetë të shëndetshme larg veseve dhe varësive duke përfshirë elementet thelbësor në zhvillimin e karakterit të tyre në një mënyrë të gjithanshme si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë mendor dhe fizik. U kënaqa shumë tek sa shihja të rinjtë tanë që ndërtonin ura përmes grupeve te miqësisë  dhe lutjeve për njëri tjetrin. Misioni Shqiptar shpreh mirënjohjen ndaj departamenteve të Shëndetit dhe Rinisë të Divizionit Trans-Europian dhe Konferencës së Përgjithshme për vizionin dhe suportin e tyre.”

Për të mësuar më shumë se si ti adresojmë këto problematika në komunitetin lokal dhe për të patur vazhdimësi me projektin “Rinia e Gajllë”, rreth 40 udhëheqës morën tjesë në trajnim, disa ditë para Kongresit. Përgjatë këtyre ditëve, u shpalos koncepti, qëllimi dhe struktura e “Rinisë së Gjallë”. “ Ky projekt, përveç zhvillimit të shumë aktiviteteve rekreative, përfshin gjithashtu dinamika grupi që ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë më mirë veten e tyre si dhe të lidhen më shumë me Perëndinë dhe të tjerët. Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit është përfshirja në aktivitetet me qëllim shërbimin ndaj komunitetit. Kjo është një mënyrë e mirë për të mbjellë kisha të reja – sygjeroi Juliana Ortolan, drejtuesja e këtij projekti në Korçë.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Konferenca e Përgjithshme e Kishës Adventiste, Divizioni Trans Europian dhe nga vende si : Britania e Madhe, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Rinia e Gjallë është konceptuar si një projekt i vazhdueshëm që po pilotohet në Shqipëri dhe Lituani si fillim, por që do të shtrihet dhe në vende të tjera. Mbarëvajtja e këtij projekti do të mbështetet nga një monitorim i drejtuar nga Dr.Duane McBride, drejtor i Institutit të parandalimit të Varësive dhe njëkohësisht profesor Sociologjie në Andrews University në SHBA.  Ky monitorim do të zbatohet nëpërmjet pyetësorësh që ndjekin sjelljet me risk, duke bërë të mundur vlerësimin e ndryshimeve në sjellje përgjatë viteve që projekti do të implementohet.

Sipas Katia G.Reinert, drejtoresha e asociuar e Departamentit të Shëndetit në Konferencën e Përgjithshme njëkohësisht dhe koordinatore e programit për këtë projekt, kjo iniciativë është një qasje e re e një programi të krijuar disa vite më pare. “Kisha krijoi projektin si një mënyrë për të angazhuar të rinjtë dhe adoleshentët, për shkak se kjo grupmoshë është më e rrezikuara ndaj sjelljeve me risk në këtë stad të jetës së tyre,” -thotë ajo.

Ky projekt ka qenë duke u implementuar për shumë vjet në shumë vende të botës, por u pa e nevojshme që të adaptohej në mënyrë që të kishte vazhdimësi. “Shumë të rinj e të reja janë konvertuar dhe ndryshuar nëpërmjet këtij programi, por në vitet e fundit u pa e nevojshme që ky program të përditësohej” –  u shpreh Katia Reinert .

Nga ana tjetër ajo e shikon këtë projekt si një mundësi për të ndihmuar kishën në rritje dhe zhvillimin e dishepullizimit. “Dëshira jonë është që Rinia e Gjallë të influencojë komunitetin lokal dhe të mos fokusohet vetëm në dishepullizimin e të rinjve Adventist, por të përfshijë dhe grupe të tjerë të rinjsh e të rejash, duke rritur dhe forcuar në këtë mënyrë kishën si dhe duke fuqizuar ata të jenë drejtues të ardhshëm dhe të jenë aktiv në mission, duke jetuar një jetë të re të shëndetshme , më të gjatë dhe të lumtur,”- përfundoi zonja Reinert.

 

Delmar Reis, drejtuesi i Rinisë në Misionin Shqiptar, nënvizon faktin që ky projekt fokusohet tek nevojat reale tek të rinjtë në Shqipëri. “Unë besoj se ky projekt do të jetë me shumë vlerë për Shqipërinë dhe mund të aplikohet në rang botëror nëpërmjet kishave lokale, shkollave dhe komuniteteve”.

 

Përgatiti

                                                                                                                                                 Vanessa dos Anjos