Udhëheqësia Transformuese

5-9 Mars 2019

 

Kisha Adventiste në Shqiperi kishte kënaqesine të ftonte Pastor Juljan Kastratin për të drejtuar një cikël seminaresh kreativ katër ditor, në fushën e Udhëheqësisë, apo siç njihet botërisht “Leadership”-it.

Seminaret trajnuese kishin si synim forcimin e ekipit pastoral të Misionit Shqiptar dhe aplikimin integrues të vlerave dhe praktikave më të mira të udhëheqësisë.

Udhëheqësia Transformuese ishte kryetema e seminareve, e cila vjen si një domosdoshmëri sfiduese përballë alternativës së një tipi transaksional apo “marrje-dhënie” drejtimi.

“Jezusi transformoi njerëz, pergatiti udhëheqes te rinj, të cilët do të drejtonin kishat e hershme dhe jo thjesht ndjekës apo admirues” –theksoi mes të tjerash Kastrati.

Aspekt tjetër i rëndësishëm për një udhëheqës është, jo vetëm marrja e përgjegjësive, por edhe aftësia për të qënë fleksibël dhe për të aplikuar stile të ndryshme udhëheqësie në varësi të situatave që paraqiten, duke filluar nga ato më të thjeshtat, të komplikuara,komplekse apo edhe kaotike.

Veçanërisht kjo bëhet edhe më e domosdoshme për drejtuesit e kishave, pastorët, e të tjerë, të cilët u duhet të përballen me karaktere dhe specifika të larmishme në kishat e tyre lokale.

Gjithashtu pjesë e veçantë e qëndrimit të shkurtër në Shqipëri të Kastratit ishin dhe trajnimet dy ditore me stafin e ADRA Albania, ku sigurisht tema e udhëheqësisë merr trajta jo shumë të ndryshme nga ajo për kishat e krishtera Adventiste.

Në fund trajnimet u mbyllën me një aplikim simbolik praktik që kishte të bënte me ngjitjen në kodrat,jo pak sfiduese të mbuluara me borë, të fshatit Dardhë në Korçë. Kjo aventurë e vogël, si për të forcuar më shumë ndjesinë e të qenurit një ekip i bashkuar pastoral sipas porosisë së Zotit tonë Jezus Krisht tek Gjoni 17:21.

E shtuna e datës 9 Mars, e cila përkonte me atmosferën e ditës ndërkombëtare të gruas, Pr.Kastrati mbajti një predikim me fokus të veçantë gratë ku ndër të tjera theksoi se: 1- “Shoqëria nuk e përcakton vlerën tuaj” 2-“Hiri Perëndisë aplikohet njësoj për të gjithë” dhe 3- “Duke qenë se jemi të gjithë njësoj para Zotit, ai na fton të kalojmë kohë cilësore me të” – bazuar tek Galatasit 3:28

 

*Pr.Julian Kastrati ka shërbyer për Kishën Adventiste në Shqipëri në funksione të ndryshme si Pastor dhe Sekretar Ekzekutiv për më shumë se 20 vjet.